Rreth nesh

Mbështetje reale, ndryshim i qëndrueshëm

Rreth Nesh

Follow Up është një organizatë joqeveritare e licencuar për ofrimin e shërbimeve sociale për gratë dhe fëmijët e mbijetuar nga dhuna në familje dhe ajo me bazë gjinore. E themeluar nga ekspertë të fushës sociale dhe të drejtave të grave, ne punojmë për të thyer ciklin e dhunës dhe për t’u mundësuar grave një jetë të pavarur, të sigurt dhe me dinjitet.

Si një qendër gjithëpërfshirëse, ofrojmë mbështetje të plotë që përfshin këshillim psikosocial, aftësim profesional dhe ndërlidhje me shërbime e institucione të tjera. Çdo shërbim ndërtohet mbi nevojat reale të grave, të dëgjuara drejtpërdrejt nga ato.

Veprimtaria jonë shtrihet në komunitete, shkolla, institucione dhe biznese, duke krijuar një rrjet mbështetjeje që u mundëson grave dhe familjeve të tyre jo vetëm mbijetesë, por edhe zhvillim të plotë.

Nga mbështetja te transformimi

Në Follow Up, puna jonë nuk përfundon me ofrimin e një shërbimi të vetëm. Ajo fillon me krijimin e një hapësire të sigurt, ku gratë dhe fëmijët e mbijetuar të dhunës mund të ndihen të dëgjuar dhe të mbështetur. Por mbështetja nuk mbaron këtu, ajo shndërrohet në hapa konkretë që ndryshojnë jetën e tyre.

Gratë që kanë kaluar përmes programeve tona kanë gjetur punësim falë ndërmjetësimit tonë me biznese lokale dhe institucione. Përmes trajnimeve dhe orientimit profesional, ato kanë fituar aftësi të reja që u mundësojnë të ndërtojnë një të ardhme të qëndrueshme. Disa prej tyre sot mbajnë vendet e para të punës, gjenerojnë të ardhura të qëndrueshme dhe arrijnë të paguajnë vetë qiranë e banimit, një hap i madh drejt pavarësisë dhe sigurisë.

Një tjetër element i rëndësishëm është mbështetja mes njëra-tjetrës. Shumë gra kanë krijuar grupe të vogla solidariteti dhe miqësie, ku ndajnë përvojat, sfidat dhe këshillat praktike për jetën e përditshme. Këto grupe shndërrohen në një rrjet të fortë shoqëror që i ndihmon të mos ndihen të vetmuara dhe t’u qëndrojnë më të forta vështirësive.

Këto përvoja tregojnë se kur mbështetja psikosociale, edukimi dhe mundësitë ekonomike kombinohen, ato nuk ndryshojnë vetëm një moment – por e kthejnë gjithë rrugëtimin e grave në një histori transformimi.

Rruga drejt sigurisë dhe dinjitetit

Çka na bën neve më ndryshe?

Qasje gjithëpërfshirëse dhe e personalizuar

Ne i qasemi çdo rasti me vëmendje të veçantë, duke përshtatur mbështetjen sipas rrethanave dhe nevojave specifike. Kjo na mundëson të ofrojmë ndihmën e duhur për një proces të qëndrueshëm integrimi dhe pjesëmarrje të plotë në shoqëri.

Mbështetje psiko-sociale e thelluar

Përveç ndihmës materiale, Follow Up ofron po ashtu përkrahje emocionale dhe psikologjike, përmes seancave falas me profesionistë, që fuqizon individët të kapërcejnë sfidat dhe të ndërtojnë një jetë më të qëndrueshme e të pavarur.

Partneritete të forta dhe angazhim në komunitet

Punojmë ngushtë me organizata lokale, institucione dhe vullnetarë për të krijuar një rrjet mbështetjeje të gjerë dhe efektiv, që arrin tek ata që kanë më shumë nevojë dhe siguron ndihmë të koordinuar e të qëndrueshme.

Njihuni me ekpin

Agmie Osmani

Agmia Osmani është themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e organizatës “Follow Up – Organizata për Integrim dhe Zhvillim Social”, e cila funksionon që nga viti 2021. Ajo ka përfunduar studimet bachelor në Psikologji dhe një tjetër në Punë Sociale, ndërsa aktualisht është duke ndjekur studimet master në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci në Universitetin e Prishtinës. Gjatë rrugëtimit akademik, ajo ka përfunduar gjithashtu një semestër në OTH Regensburg, Gjermani, përmes programit Erasmus+, përvojë që i ka ofruar një perspektivë më të gjerë ndërkombëtare dhe mundësi bashkëpunimi me studentë e profesionistë nga vende të ndryshme. Përveç punës së saj në Follow Up, Agmia ka fituar një përvojë të gjerë profesionale edhe përtej organizatës, duke u angazhuar në projekte të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut, barazisë gjinore, fuqizimit të grave dhe të rinjve, si dhe në fushën e politikave sociale. Ajo ka qenë pjesë e programeve të ndryshme ndërkombëtare të OSBE-së, BE-së (Ambasadore e Re Europiane), KUSA (Kosovo United States Alumni) dhe organizatave të tjera partnere, duke forcuar njohuritë dhe aftësitë e saj për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes institucioneve, organizatave të shoqërisë civile dhe komunitetit.

Me vizionin e saj, Follow Up është bërë një aktor i rëndësishëm në ofrimin e mbështetjes psikosociale dhe riintegrimit për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore, si dhe në fuqizimin e të rinjve përmes edukimit, fushatave ndërgjegjësuese dhe trajnimeve. Përkushtimi i saj ndaj drejtësisë sociale dhe lidershipi i fuqishëm e bëjnë Agmien një zë të rëndësishëm në fushën e punës sociale, mbrojtes së grave dhe fëmijëve nga dhuna dhe të drejtave të njeriut në Kosovë.

20250828_161106

Ermira Tafarshiku

Ermira Tafarshiku është juriste dhe punëtore sociale, si dhe bashkëthemeluese e organizatës “Follow Up – Organizata për Integrim dhe Zhvillim Social”. Ajo ka përfunduar studimet bachelor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa aktualisht është duke ndjekur studimet master në të Drejtën Ndërkombëtare.

E përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe forcimin e pozitës së grave në shoqëri, Ermira kontribuon me profesionalizëm në programet e Follow Up që lidhen me fuqizimin e grave, përkrahjen në punësim dhe gjetjen e mundësive për jetë të pavarur dhe dinjitoze.
Përtej angazhimit në Follow Up, ajo ka fituar përvojë në fusha të ndryshme që lidhen me të drejtën, barazinë gjinore dhe politikat sociale, duke bashkëpunuar me institucione dhe organizata të ndryshme në nivel lokal.

Ajo gjithashtu ka përvojë institucionale, ku praktikën e ka përfunduar në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Energjia dhe vizioni i saj janë të përqendruara në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse, ku çdo individ ka mundësi reale për zhvillim.

Eranda Bokshi

Eranda Bokshi është punëtore sociale dhe hulumtuese me përvojë në koordinimin e projekteve, menaxhimin e ngjarjeve dhe komunikimin strategjik në sektorin kulturor dhe social. Ajo ka përfunduar studimet Bachelor në Filozofi në Universitetin e Prishtinës dhe aktualisht ndjek studimet Master në Filozofi Politike.

Përvoja e saj profesionale përfshin bashkëpunimin me Friedrich Ebert Stiftung, Fondacionin ARMATA, Britmi i Parë dhe Kosovo 2.0, ku ka koordinuar projekte kulturore, ka lehtësuar diskutime publike, ka përkthyer dhe redaktuar tekste të rëndësishme, si dhe ka realizuar dokumentarë mbi çështje shoqërore. Ajo është gjithashtu bashkëthemeluese e Virtual Sophists, një qendër filozofie në Prishtinë që promovon dialogun, mendimin kritik dhe angazhimin komunitar.

Në Follow Up, Eranda punon si Punëtore Sociale, duke mbështetur gratë dhe vajzat që kanë mbijetuar nga dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore. Ajo është e përkushtuar në ofrimin e mbështetjes psikosociale, fuqizimin dhe krijimin e mundësive për riintegrim, me vizionin për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.