Çfarë Bëjmë
Ofrim i Shërbimeve Sociale
Në Follow Up, ne punojmë për të thyer ciklin e dhunës dhe për të krijuar mundësi të reja për një jetë të sigurt, të pavarur dhe me dinjitet. Programet tona mbulojnë të gjithë procesin, nga mbështetja e drejtpërdrejtë për gratë dhe fëmijët e mbijetuar të dhunës, te fuqizimi i institucioneve dhe puna parandaluese me brezat e rinj.
Ofrimi i shërbimeve riintegruese është në zemër të punës sonë. Deri më sot, kemi mbështetur mbi 100 gra dhe familjet e tyre, duke zhvilluar seanca të rregullta psikosociale individuale dhe grupore për përballimin e traumës dhe forcimin e aftësive emocionale. Një pjesë e madhe e grave kanë përfituar nga programet e aftësimit profesional, ku shumë prej tyre janë integruar në tregun e punës përmes partneriteteve që kemi krijuar me biznese vendore. Përmes mbështetjes sonë, gra të shumta kanë arritur të sigurojnë pavarësi ekonomike dhe të ndërtojnë një jetë të re.
Një tjetër shtyllë e rëndësishme është strehimi i përballueshëm dhe i sigurt, që u mundëson grave të dalin nga ambientet e pasigurta dhe të kenë kushte të qëndrueshme për veten dhe fëmijët e tyre. Çdo rast trajtohet individualisht, duke ndërtuar një plan veprimi të personalizuar sipas nevojave konkrete të secilës grua dhe familjeje.
01
Puna jonë në praktikë
02
Partneritete për Ndryshim Shoqëror
Fuqizimi i institucioneve është po aq i rëndësishëm sa edhe mbështetja direkte. Përmes trajnimeve për stafin e institucioneve, punëtorive të vazhdueshme dhe avokimit, kemi kontribuar në forcimin e kapaciteteve lokale për të reaguar më me efektivitet ndaj rasteve të dhunës. Kjo qasje ka ndihmuar të krijohet një zinxhir bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe organizatave, duke siguruar shërbime më të integruara dhe të koordinuara për të mbijetuarat.
Në të njëjtën kohë, investojmë në edukimin për parandalimin e dhunës, duke punuar ngushtë me shkolla, mësimdhënës dhe nxënës. Përmes sesioneve informuese, materialeve të përshtatura edukative dhe programeve mbi identifikimin dhe raportimin e hershëm, kemi ndikuar në rritjen e ndërgjegjësimit tek të rinjtë. Statistikat tregojnë se vetëm gjatë vitit 2023 u raportuan mbi 2,856 raste të dhunës në familje në Kosovë, prej të cilave 79% e viktimave ishin gra. Për ne, këto shifra nuk janë vetëm numra, por thirrje për të vazhduar ndërtimin e një kulture ku dhuna nuk tolerohet dhe ku komunitetet fuqizohen për të thënë “jo.”

Ne besojmë se çdo individ ka të drejtë për zhvillim dhe integrim të plotë. Për këtë arsye, Follow Up jo vetëm ofron mbështetje direkte për gratë dhe familjet e tyre, por gjithashtu angazhohet në:
- Hulumtime dhe publikime, të cilat dokumentojnë gjendjen e të mbijetuarave dhe ofrojnë rekomandime konkrete për përmirësimin e politikave publike.
- Avokim pranë institucioneve shtetërore dhe vendimmarrësve, me qëllim që ligjet dhe rregulloret të reflektojnë realisht nevojat e grave.
- Ndërtim partneritetesh afatgjata me shkolla, biznese dhe organizata të tjera, për të krijuar mundësi të qëndrueshme punësimi dhe integrimi.
- Monitorim të zbatimit të strategjive kombëtare për barazinë gjinore dhe mbrojtjen e të drejtave të grave, duke siguruar që premtimet institucionale të kthehen në veprime konkrete.